Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka dalë para Gjykatës lidhur me aktakuzën e re për pengim të drejtësisë.
“Me siguri e dini që tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime të keqinterpretuara të historisë politike dhe kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, veçanërisht që nga vitet 1980 e deri më sot. Ky është një proces voluminoz. E di që shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim përfundimin e këtij procesi; e presim drejtësinë dhe besojmë në të.
Krejt papritmas, para dy ditësh, u njoftova për një akuzë të re nga ZPS. E di që Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale dhe nuk paraqes rrezik politik për askënd. Prandaj, edhe sot, dua të theksoj se besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kërkoj nga të gjithë në këtë sallë që të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, pasi Dhomat e Specializuara janë produkt i institucioneve të Republikës së Kosovës.
Për shkak të angazhimeve të tjera, nuk kam pasur mundësi të diskutoj në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana juaj. Prandaj, do të deklarohem në kohë brenda afatit të rregullt kushtetues dhe ligjor.”