Kryetari i LDK-së Abdixhiku ka prezantuar modelin e tij energjetik për Kosovën, duke u fokusuar në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.
Ai planifikon ndërtimin e një centrali me gaz prej 500 MW për tranzicion dhe stabilitet energjetik, me investim prej 500 milionë eurosh. Gjithashtu, parashikon gazifikimin e Kosovës për ngrohje qendrore dhe industri, duke ndërtuar një linjë furnizimi nga Hani i Elezit deri në Mitrovicë, me kosto 120 milionë euro.
Brenda katër viteve të ardhshme, synon të shtojë kapacitet prej 1000 MW të energjisë së ripërtëritshme nga parqet solare dhe të erës, si dhe të zhvillojë infrastrukturë rezervë për ruajtjen e energjisë elektrike përmes hidrocentraleve reversibile dhe baterive, me një investim të kombinuar prej 50 milionë euro nga buxheti shtetëror dhe 250 milionë euro nga kompani private.
Në kuadër të këtij modeli, ai planifikon eliminimin e TVSH-së për energjinë elektrike për të lehtësuar barrën financiare mbi familjet kosovare. Një tjetër projekt kyç është Plani Kombëtar për Vetura Elektrike, që eliminon të gjitha obligimet doganore dhe tatimore për regjistrimin e tyre. Ai po ashtu propozon dyfishimin e projektit të kogjenerimit në Prishtinë dhe Obiliq me investim prej 120 milionë eurosh.
Modeli i tij synon transformimin e sektorit energjetik të Kosovës për të garantuar një sistem më të qëndrueshëm, efikas dhe miqësor me mjedisin.