Maduro dhe bashkëshortja me akuza të reja për torturimin e disidentëve
Prokurorët federalë amerikanë kanë ngritur akuza të reja ndaj ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, për komplot për kryerjen e torturës ndaj kundërshtarëve politikë dhe shtetasve amerikanë të ndaluar në Venezuelë. Sipas aktakuzës së përditësuar, të paraqitur të enjten në Gjykatën Federale të Manhatanit, Maduro akuzohet se ka drejtuar një sistem represioni që përfshinte arrestime arbitrare, tortura dhe dhunë ndaj kundërshtarëve të regjimit. Flores akuzohet se ka ndihmuar në krijimin e këtij sistemi dhe se ka urdhëruar torturimin e individëve për të mbrojtur aktivitetet e paligjshme të familjes. Prokuroria pretendon se viktimat iu nënshtruan goditjeve elektrike, asfiksimit, dhunës seksuale, izolimit të zgjatur dhe kërcënimeve ndaj familjarëve. Akuzat e reja u shtohen atyre ekzistuese për trafikim droge dhe narkoterrorizëm. Maduro dhe Flores ndodhen në paraburgim në Shtetet e Bashkuara që nga janari 2026 dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e mëparshme. Gjykimi është planifikuar të fillojë më 1 qershor 2027. Të enjten, gjykata refuzoi gjithashtu kërkesën e Flores për lirim nga paraburgimi për arsye shëndetësore.