Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përmbyllur sot procesin e përzgjedhjes së listës zyrtare me 110 kandidatë për deputetë, me të cilët do të garojë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit 2025, ku partia do të ketë në fletëvotim numrin 130.
Sipas njoftimit zyrtar, lista përfaqëson një kombinim të energjinë së re, përvojës institucionale dhe përfaqësimit të gjerë rajonal, duke reflektuar qasjen e PDK-së për një Kosovë të zhvilluar dhe të udhëhequr nga profesionalizmi.
Mbi 50 kandidatë janë pjesë e listës për herë të parë, çka sipas partisë sjell frymë të re, ide moderne dhe profesionalizëm në politikë.Po ashtu, në listë janë përfshirë 37 gra kandidate, duke tejkaluar ndjeshëm kuotën ligjore gjinore dhe duke dëshmuar angazhimin e PDK-së për përfaqësim të barabartë dhe gjithëpërfshirës.
PDK thekson se të gjitha komunat e Kosovës janë të përfaqësuara në listë, duke garantuar që çdo qytetar, rajon dhe komunitet të ketë zërin e vet në Kuvend.
Kandidatët vijnë nga fusha të ndryshme të shoqërisë – profesorë, doktorë, ekonomistë, gazetarë, diplomatë, juristë, inxhinierë, ekspertë sigurie, sipërmarrës dhe profesionistë të tjerë, të cilët përfaqësojnë kompetencë dhe integritet.
“Me këtë listë të balancuar dhe të fuqishme, PDK hyn në garë me bindjen se Kosova meriton qeverisje të përgjegjshme, të aftë dhe të orientuar drejt rezultateve,” thuhet në deklaratën e partisë.
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se është gati për fitore dhe më 28 dhjetor kërkon besimin e qytetarëve me numrin 130 në fletëvotim.
