KosovaAbdixhiku: LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita, nuk është dekor i pushtetit dhe as alibi për dështim
Prishtinë – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për poste institucionale dhe nuk do të kërkojë pjesëmarrje në qeveri, duke theksuar se prioriteti i LDK-së është tejkalimi i krizës politike dhe funksionalizimi i institucioneve të Kosovës.
Në një deklaratë pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së, Abdixhiku tha se oferta për përfshirjen e partisë në qeveri, me një numër të kufizuar ministrish, nuk ishte e pranueshme për LDK-në, pasi sipas tij nuk reflektonte peshën politike dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje.
Megjithatë, ai theksoi se LDK-ja nuk dëshiron që kërkesat për poste të bëhen pengesë për konstituimin e institucioneve.
“LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë përtej fitimit politik, në shmangien e krizës aktuale”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se LDK-ja heq dorë nga kërkesa për pjesëmarrje në qeveri, përfshirë edhe postet ministrore.
“Ne nuk duam asnjë ministri, le t’i marrë Lëvizja Vetëvendosje të gjitha”, deklaroi ai.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja tërhiqet gjithashtu nga kërkesa për kryetarin e Kuvendit dhe nuk do ta kushtëzojë procesin institucional me marrjen e ndonjë posti.
Një pjesë qendrore e deklaratës së Abdixhikut ishte zgjedhja e presidentit të Republikës. Ai tha se LDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së një presidenti që, sipas tij, duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve dhe të mbrojë Kushtetutën dhe interesat e Republikës së Kosovës.
“Jemi të gatshëm të bisedojmë me bindje të plota për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës dhe Kushtetutën e saj, që e përfaqëson unitetin e popullit”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se për këtë proces LDK-ja nuk kërkon poste apo kompensim politik, por vendos kritere për figurën që do të zgjidhet në krye të shtetit.
Abdixhiku kërkoi që presidenti të mos jetë figurë partiake, por president i të gjithë Republikës së Kosovës.
“Le ta zgjedhim bashkë, të gjitha partitë politike të Kosovës, presidentin që mbron Republikën dhe Kushtetutën”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të marrë përgjegjësinë për formimin e qeverisë nëse nuk e sheh të nevojshme përfshirjen e LDK-së.
“LVV-ja le ta formojë qeverinë me deputetët e koalicionit të saj, le t’i ketë të gjitha ekzekutivet, siç kanë kërkuar. LDK-ja nuk do ta marrë kushtin që dëshiron”, tha ai.
Megjithatë, sipas tij, ekzistojnë dy rrugë: ose të arrihet një marrëveshje për stabilitet institucional, ose vendi të hyjë në një krizë të re politike.
Ai paralajmëroi se refuzimi i çdo kompromisi demokratik mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Kreu i LDK-së tha se partia e tij ka zgjedhur “Republikën para pozitave, stabilitetin para interesit partiak dhe dinjitetin para pjesëmarrjes formale”.
Ai tha se qëllimi i LDK-së nuk ka qenë marrja e posteve “me çdo kusht”, por ushtrimi i përgjegjësisë publike dhe shtetërore në një periudhë kur Kosovës, sipas tij, i duhet drejtim i qartë euroatlantik, zhvillim ekonomik dhe stabilitet politik.
Abdixhiku kritikoi gjithashtu deklaratat e zyrtarëve të Vetëvendosjes ndaj LDK-së, duke thënë se ato kanë dëmtuar besimin ndërmjet partnerëve të mundshëm.
Sipas tij, koalicionet nuk ndërtohen vetëm mbi numra dhe ndarjen e pozitave, por mbi respekt, besim dhe trajtim të barabartë.