Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, ka njoftuar se partia ka votuar dhe zyrtarizuar me unanimitet ekipin e saj për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
“Pas një procesi të brendshëm konsultativ, të ndërtuar mbi besim dhe unitet, LDK vjen para qytetarëve me më të mirët që ka. Ky ekip përfaqëson dijen, vizionin dhe përkushtimin tonë për zhvillimin e komunave të vendit,” deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se pjesë e ekipit janë figura të dëshmuara që kanë rikthyer besimin në qeverisje dhe kanë sjellë projekte konkrete zhvillimi në komunat e tyre, si dhe energji të reja që sjellin pasionin e ndryshimit dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësi.
Ekipi i LDK-së për zgjedhjet lokale përfshin këta kandidatë për kryetarë komunash:
- Përparim Rama – Prishtinë
- Imri Ahmeti – Lipjan
- Xhafer Gashi – Obiliq
- Besnik Osmani – Fushë Kosovë
- Ekrem Hyseni – Podujevë
- Gazmend Heta – Drenas
- Xhafer Tahiri – Vushtrri
- Gëzim Plakolli – Mitrovicë
- Gazmend Muhaxheri – Pejë
- Ilir Ferati – Istog
- Bexhet Xheladini – Dragash
- Driton Selmanaj – Prizren
- Ardian Shala – Suharekë
- Visar Azemi – Ferizaj
- Kastriot Shabani – Shtime
- Valmir Ahmeti – Shtërpcë
- Sokol Haliti – Viti
- Arbër Ismajli – Gjilan
- Bajrush Ymeri – Novobërdë
- Ruzhdi Shehu – Junik
- Shefqet Shehu – Gjakovë
- Jeton Mushkolaj – Deçan
- Burim Krasniqi – Rahovec
Abdixhiku bëri të ditur se në ditët në vijim do të prezantohen edhe kandidatët për Malishevë, Klinë, Kamenicë dhe Kaçanik, si dhe do të finalizohet lista e mbi 994 këshilltarëve lokal me të cilët LDK do të garojë në të gjitha komunat.
“Me këtë ekip dhe me përkrahjen e qytetarëve tanë, LDK është gati. Të rikthejmë përgjegjësinë, të rikthejmë shpresën. Le të fitojmë!”, përfundoi Abdixhiku deklaratën e tij.
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit shihen si një test i rëndësishëm për të gjitha partitë, ndërsa LDK synon të rikthejë komunat kyçe dhe të rrisë fuqinë e saj në nivel lokal, duke premtuar transparencë dhe zhvillim për qytetarët.