PolitikëSekretari i Përgjithshëm i NATO-s në Prishtinë: Angazhimi ynë për sigurinë në Kosovë mbetet i palëkundur
Prishtinë, 11 Mars 2025 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, së bashku me përfaqësuesit e Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe partnerët operativë të KFOR-it, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prishtinë. Ai u prit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën diskutoi për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Sekretari i Përgjithshëm theksoi se prania e tij dhe e përfaqësuesve të NATO-s në Kosovë është një dëshmi konkrete e angazhimit të Aleancës për stabilitetin e vendit dhe të rajonit. “NATO ka mbështetur paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor për 30 vite dhe përkushtimi ynë mbetet i fortë edhe sot,” u shpreh ai. Ai vlerësoi rolin e KFOR-it si misioni më i madh dhe më i gjatë i NATO-s, i cili operon nën mandatin e Kombeve të Bashkuara.
Gjatë fjalës së tij, ai lavdëroi punën e trupave të KFOR-it nën udhëheqjen e gjeneralit Enrico Barduani, duke thënë se ata vazhdojnë të punojnë me përkushtim për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ai gjithashtu përmendi mbështetjen që NATO ofron për institucionet e sigurisë së Kosovës përmes Ekipit Këshillues dhe Lidhës, i cili ndihmon në ngritjen e kapaciteteve, edukimin dhe koordinimin e trajnimeve.
Sekretari i Përgjithshëm theksoi se siguria në Ballkanin Perëndimor është e ndërlidhur me stabilitetin e gjithë rajonit euro-atlantik. Ai paralajmëroi se “dekada të paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen”, duke shtuar se KFOR-i është plotësisht i gatshëm të përgjigjet ndaj çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë. Ai përsëriti rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Prishtinës dhe KFOR-it, si pjesë e angazhimeve afatgjata të NATO-s për stabilitet në rajon.
Në fjalën e tij, ai theksoi zgjidhjen e një paqe të qëndrueshme dhe se NATO mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. “Zgjidhja e vetme për çështjet e hapura dhe një të ardhme të sigurt është përmes dialogut, ku të drejtat e të gjitha komuniteteve respektohen dhe mbrohen”, tha ai.
Në këtë kontekst, ai bëri thirrje që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe të ndërmarrin kompromiset e nevojshme për të avancuar në procesin e normalizimit. “E di që këto janë vendime të vështira, por duhet të fokusohemi në përfitimet afatgjata. Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë investime dhe siguri të qëndrueshme për të gjithë rajonin”, shtoi ai.
Në përfundim të vizitës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s falënderoi Presidenten Osmani për mikpritjen dhe diskutimet konstruktive, duke theksuar se NATO do të vazhdojë të luajë një rol kyç në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.